MANIFESTI I REPUBLIKËS SË VJEDHUR
Ne refuzojmë të jemi dëshmitarë të heshtur të rënies së shtetit të së drejtës.
Për më shumë se tre dekada, establishmenti politik shqiptar ka luajtur një lojë cinike me të ardhmen tonë. Ata kanë veshur kostumet e integrimit europian në Bruksel, ndërsa në Tiranë kanë ndërtuar mure imuniteti për të mbrojtur pasuritë e tyre nga drejtësia.
Më 12 Mars, fasada ra. Me 82 vota pro dhe 47 kundër, parlamenti u kthye në një mburojë antikushtetuese kundër Strukturës së Posaçme (SPAK). Ata zgjodhën të mbrojnë veten, duke djegur afatin e vitit 2030 dhe duke shkelur hapur standardet e Kapitullit 23 të Bashkimit Europian.
Përpjekja për BE lindi si përgjigja imunitare e kësaj republike, për të mbrojtur një demokraci që establishmenti po tenton ta asgjësojë. Ne mund të kemi përkatësitë dhe bindjet tona të ndryshme politike, por sot nuk po debatojmë për të majtën apo të djathtën. Kur vihet në rrezik vetë themeli i shtetit të së drejtës, dallimet ideologjike pezullohen. Në këtë emergjencë, jemi të bashkuar ekskluzivisht rreth një qëllimi absolut: mbrojtjes së drejtësisë së pavarur dhe garantimit të rrugëtimit tonë drejt BE-së.
Ne nuk jemi një organizatë që kërkon pushtet nesër, dhe nuk jemi një forum që pret karrige. Ne jemi vija e kuqe qytetare në mbrojtje të demokracisë.
KUSHTET E PANEGOCIUESHME
- 1. SPAK është Vija e Kuqe Kushdo që ngre kartonin apo përdor pushtetin legjislativ për të penguar drejtësinë e pavarur, shpallet automatikisht armik i rrugëtimit tonë Europian. Drejtësia nuk negociohet.
- 2. Zero Kompromis Ideologjik Ne nuk jemi këtu për të ndërruar pushtetet, ne jemi këtu për të mbrojtur shtetin. Nuk kërkojmë favore nga politika dhe nuk pranojmë pazare. Kërkojmë vetëm barazi absolute para ligjit.
- 3. Mision me Afat Skadence Ne nuk jemi një parti në pritje. Në momentin që anëtarësimi në BE blindohet dhe pavarësia e drejtësisë është e paprekshme, ky grupim shpërndahet. Ne po luftojmë për të drejtën për t'u kthyer të qetë në jetët dhe profesionet tona.
DOSJA 82-47: KUSH KA FRIKË NGA DREJTËSIA?
ARKIVA E SABOTIMIT TË KAPITULLIT 23
Politika dëshiron që ne të harrojmë. Ata duan që deklaratat e tyre kundër drejtësisë të humbasin në ciklin e lajmeve 24-orëshe. Kjo faqe është Kujtesa e Republikës. Këtu arkivohet çdo akt sabotazhi.
Fakti: 82 Deputetë votuan për të penguar mandatin e SPAK. 47 heshtën ose kundërshtuan.
Konsekuenca: Shkelje e drejtpërdrejtë e kritereve të Bashkimit Europian dhe Komisionit të Venecias për pavarësinë e magjistraturës.
"Skrapi i partise eshte nje organizat kriminale, nje seksion i bandes se Bajrit, skapi i partise fshen dhe manipulon dokumenta."
Përkthimi ynë: Përdorimi i mandatit publik për mbrojtje personale penale.
"SPAK bën dhe një dëm serioz, kolateral mbi administratën, duke përmbysur faktikisht rregullisht parimin e shenjtë demokratik të prezumimit të pafajësisë..."
Përkthimi ynë: Një tentativë për të injoruar hapur shtetin ligjor dhe për ta kthyer pushtetin politik në gjykatës dhe prokuror njëkohësisht.
SHTETI PENG: PAKTI ME KARTELET
SPAK NUK LUFTON VETËM KORRUPSIONIN. AI LUFTON KAPJEN E DEMOKRACISË.
Një nga arsyet më ekzistenciale pse drejtësia e pavarur është vija jonë e kuqe, është mbrojtja e Republikës nga asgjësimi. Sot, ne nuk përballemi thjesht me politikanë që vjedhin tenderë; ne përballemi me një simbiozë vdekjeprurëse ku kartelet e drogës dhe krimi i organizuar mbajnë në këmbë sistemin politik.
Pakti mafioz mes elitës politike dhe krimit të organizuar është thelbi i kapjes së shtetit. Ekuacioni është i thjeshtë: Krimi siguron votat, blen zgjedhjet dhe frikëson kundërshtarët; në këmbim, politika u kthen mbrapsht imunitet nga drejtësia, pasuri publike dhe një territor të lirë ("carte blanche") për të vepruar.
Pa një sistem drejtësie të hekurt, demokracia mbetet thjesht një fasadë e brishtë, institucionet kthehen në zyra shërbimi për kartele dhe rruga jonë drejt Bashkimit Europian mbyllet përgjithmonë. Ne e refuzojmë një Narko-Shtet.
Rastet e fundit, si ai i deputetit socialist Jurgis Çyrbja, i detyruar të dorëzojë mandatin pas hetimeve të SPAK për fshehje të personave në kërkim dhe lidhje me krimin e organizuar, tregojnë qartë se karteli është ulur këmbëkryq në Parlament. Kjo nuk është politikë, ky është asgjësim i shtetit.
ANATOMIA E NJË SHTETI TË KAPUR
- Dosja 339 & Blerja e Zgjedhjeve Përgjimet historike treguan qartë se si bandat e trafikut ndërkombëtar të drogës (si grupimi i Avdylajve) diktojnë emërimet në administratë dhe blejnë vota për qeverinë. Krimi zgjedh përfaqësuesit; përfaqësuesit mbrojnë krimin.
- Monopoli i Dhunës dhe Pronave Kur bisedat e zbardhura zbulojnë kriminelë (si rasti i "Rrumit të Shijakut") që u premtohet prona publike në bregdet në këmbim të eliminimit të kundërshtarëve, shteti ka rënë. Vetëm SPAK mund t'ia kthejë Republikën qytetarëve.
- Drejtësia si Këmbim Favoresh Ish-deputetë dhe zyrtarë të lartë (si rasti i ish-drejtorit të Burgjeve, Arben Çuko) kapen duke ndërhyrë në transferime kriminelësh apo duke ofruar favore shtetërore si shpërblim për shërbimet e mafies në zgjedhje.
PARTITË JO-DEMOKRATIKE:
RRËNJA E PROBLEMIT
KUR ASGJËSOHET VOTA BRENDA PARTISË, ASGJËSOHET REPUBLIKA
Pse 82 deputetë ngritën kartonin kundër drejtësisë pa bërë asnjë pyetje? Sepse në Shqipëri, deputeti nuk i përgjigjet qytetarit; ai i përgjigjet vetëm Kryetarit.
Establishmenti i vjetër i ka kthyer partitë në prona private, duke shkelur me këmbë statutet dhe ligjet e tyre të brendshme. Çdo zë pro-Europian ose pro-drejtësisë së pavarur shtypet, izolohet ose përjashtohet në mënyrë arbitrare për të mbrojtur pushtetin e liderit.
1 Kryetar = 1 Parti
11 Mars: Voto & Hesht
ELIMINIMI I RIVALËVE
Frika nga humbja e kontrollit detyron lidershipin e vjetër të shkelë "Kushtetutën" e vetë partisë. Rasti më i fundit: Sali Berisha "vetë-përjashton" dhe tenton të eliminojë politikisht kandidatë rivalë si Ervin Salianji (profil pro-drejtësisë dhe linjës Perëndimore), jashtë çdo norme statutore, thjesht sepse i trembet një humbjeje të brendshme demokratike.
[ Lexo Faktet në Media ]DISTANCIMI NGA DIKTATI
Sëmundja e autokracisë është e përbashkët (që nga spastrimet e Ben Blushit në 2015). Më 11 Mars, Edi Rama thirri grupin parlamentar duke përdorur gjeste autoritare ('Mbyllni gojën') për të imponuar kodin e heshtjes kundër SPAK. Megjithatë, ky diktat po refuzohet: figura të rëndësishme të mazhorancës (si rasti i Elisa Spiropalit) zgjodhën të mbajnë qëndrim dhe të distancohen, duke bojkotuar seancën për të mos u bërë pjesë e votimit kundër drejtësisë. Çdo qytetar që mbështet këtë distancim nga korrupsioni, e ka derën e hapur në Përpjekje.
ZGJIDHJA EUROPIANE: VOTA ELEKTRONIKE
Në Bashkimin Europian, partitë politike janë institucione demokratike ku lideri i nënshtrohet drejtpërdrejt votës së anëtarësisë. Në Shqipëri, ato janë kthyer në bajraqe mesjetare ku Kryetari numëron votat dhe shkruan vetë listat e deputetëve.
Teknologjia është armiku i autokracisë.
Implementimi i Votimit Elektronik asgjëson monopolin e Kryetarit mbi vullnetin e popullit. Kur makineria e pamanipulueshme zëvendëson patronazhistin dhe numëruesin militant, establishmenti vdes. Vota dixhitale është e vetmja rrugë e shpejtë për të shembur kultin e individit dhe për t'ia rikthyer pushtetin qytetarëve.
BIZNESI SHQIPTAR PAGUAN:
Faturën e Korrupsionit
Nëse futemi në BE nuk ka më gjoba nga inspektorët e partisë.
Klasa e mesme dhe biznesi i vogël janë viktimat e përditshme të gjobave arbitrare, korrupsionit dhe mungesës së tregut Europian. Ju jeni ata që po paguani faturën e imunitetit politik të establishmentit.
Çdo ditë, në dyert e dhjetëra bizneseve, vullnetarët tanë dorëzojnë këtë "Faturë të Papaguar" të Republikës. Ne nuk kërkojmë para nga ju. Ne ju përballim me matematikën e thatë se sa po ju kushton ky sistem.
A e dinit që një biznes me madhësinë tuaj në një vend të BE-së huazon para nga banka me interes 2-3%, ndërsa ju paguani trefish sepse gjykatat tona nuk garantojnë dot pronën? Shkarkoni manualin tonë të biznesit për të parë faturën e plotë të korrupsionit.
Si po paguan 30% më shumë në kohën e rrumpallës pa drejtësi të pavarur por me korrupsion?
Faturë e Papaguar
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
Data: 1991 - 2030
TOTALI: KOHA JUAJ PO VIDHET
Politika do paratë e tua.
Ne duam qëndresën tënde.
MBRO SPAK. BASHKOHU.
[ Operacioni ]
PËRZGJEDHJA
2030
Manual Operativ:
Elita e vjetër politike i zgjedh përfaqësuesit nëpër darka të fshehta. Ne do të gjejmë zërat tanë në dritë të diellit, përmes një filtri të pamëshirshëm publik.
Ne kërkojmë liderë të fushatës pro-Europiane. Njerëz me kurajën për të artikuluar të vërtetat e rënda të tranzicionit dhe vizionin për të përballuar makinerinë e propagandës.
KËRKOJMË LIDERIN E RI
Establishmenti politik e ka varrosur meritokracinë. Ata promovojnë servilët dhe njerëzit pa shtyllë kurrizore për të mbrojtur sistemin. Përpjekja për BE po shpall një mobilizim kombëtar për të gjetur talentet e fshehura të Shqipërisë.
Ne nuk kërkojmë një kryetar partie. Po kërkojmë një Zëdhënës Publik të Republikës – një figurë të pastër që do të udhëheqë rrugëtimin tonë drejt 2030-ës.
Fushata do të zhvillohet në universitete, auditore dhe përmes debateve publike guerile. Nëse njihni dikë brilant, që refuzon të jetë pjesë e politikës së vjetër, propozo emrin e tij tani. Ne do ta kthejmë atë në një Lider.
EDUKATORËT E REPUBLIKËS:
RRJETI I KUJDESTARËVE
Elita e vërtetë nuk ulet në Parlament. Ajo jep mësim çdo ditë në auditore.
Ne e dimë që jetojmë në një sistem ku ata që edukojnë gjeneratën e re dhe mbajnë peshën e së ardhmes vlerësohen më pak nga shteti. Ndërsa në Bashkimin Europian mësuesi dhe pedagogu trajtohen me dinjitet të lartë financiar dhe janë boshti i shoqërisë, këtu ata lihen në kushte mbijetese.
Ky narko-shtet ka përmbysur hierarkinë e vlerave: të korruptuarit dhe kriminelët promovohen si elita e re dhe i shikojnë edukatorët me mëshirë. Në Europën që ne kërkojmë në 2030, ndodh fiks e kundërta: mësuesi është elita, i korruptuari shkon para drejtësisë.
Ne kemi ngritur Përpjekjen për BE në mënyrë që njerëzit e ndershëm të mos shtypen më. Por makineria e vjetër politike po na i manipulon të rinjtë para se ata të kuptojnë të vërtetën. Ne kemi nevojë për mendjet brilante të këtij vendi për ta fituar këtë luftë.
Thirrja e Fshehtë për Aksion (OPSEC):
"Ne e dimë se rreshtimi juaj publik me ne rrezikon vendin tuaj të punës nga drejtoritë arsimore të partive. Ne nuk ju kërkojmë të dilni në sheshe dhe të rrezikoheni. Ne ju kërkojmë vetëm të bëheni sytë tanë. Identifikoni talentet, gjeni mendjet rebele në klasat tuaja. Pëshpërituni atyre për ne. Drejtojini drejt kësaj platforme. Bëjini ata të betohen. Ne do t'i kthejmë ata në liderë."
HIERARKIA E REPUBLIKËS
Mësuesi shihet me mëshirë
I korruptuari para drejtësisë
#HendekFyes #ZeroKompromis #IntegrimiEshteDignitet
LETRA E DINJITETIT
Një ftesë e hapur për çdo Mësues dhe Pedagog që refuzon të dorëzojë gjeneratën e re tek mafia politike. Shkarkoni letrën, printojeni, dhe dërgojuani kolegëve tuaj të besuar.
[ SHKARKO LETRËN E DINJITETIT ]SI FUNKSIONOJMË:
TRANSPARENCË RADIKALE
Ne kemi ndërtuar një mekanizëm që establishmenti nuk mund ta blejë dhe nuk mund ta shantazhojë.
1. VETTING FINANCIAR DHE EKSKLUZIVITET EUROPIAN
Përpjekja për BE refuzon kategorikisht çdo grant qeveritar, donacion nga partitë politike, para nga oligarkët apo fonde nga shtete të veçanta. Pavarësia jonë nuk është në shitje. Ne njohim vetëm një destinacion dhe pranojmë mbështetje institucionale ekskluzivisht vetëm nga Bashkimi Europian. Çdo nevojë tjetër logjistike mbulohet në mënyrë të decentralizuar nga vetë qytetarët.
2. BORDI KËSHILLIMOR NË HIJE
Ne i jemi nënshtruar vetos absolute të një Bordi ekspertësh me histori të provuar bashkëpunimi me institucionet Perëndimore. Kriteret e tyre bazohen rreptësisht në:
- Udhëzimet e DG NEAR (2021-2027) & TACSO.
- Praktikat e Komisionit të Venecias.
- Zero lidhje partiake.
*Pse në hije? Për të mbrojtur mendjet tona strategjike nga linçimi i pushtetit.
3. SUPREMACIA: #KAFJAPARLAMENTARE
Ne njohim deficitin demokratik të çdo lëvizjeje të re. Ndaj, pushteti absolut i përket BAZËS. Në #KafjenParlamentare (asambleja jonë e hapur), çdo individ ka zë. Me një votë shumice (50%+1), baza mund të shkarkojë çdo anëtar të Bordit ose Koordinator nëse shkelin vlerat tona.
THE CIVIC ALIBI FOR THE RULE OF LAW
Exposing the Sabotage of EU Chapter 23 Benchmarks.
The Constitutional Threat:
The March 12 parliamentary vote (82-47) aimed at obstructing the Special Anti-Corruption Structure (SPAK) represents a calculated, cross-partisan effort to dismantle the core pillars of Albania's Justice Reform. This action explicitly violates the interim benchmarks of EU Chapter 23 (Judiciary and Fundamental Rights) and contradicts the implementation guidance of the Venice Commission.
Our Broadcast to the World:
The Effort for EU exists to provide international journalists, monitoring bodies, and EU institutions with undeniable, bottom-up civic reality. The political establishment relies on global silence to consolidate their immunity; we are here to break that silence.
We urge the international press to focus on the reality of the streets, not just the rhetoric of the parliament. We stand ready to supply the domestic civic pressure necessary to secure Albania’s 2030 accession timeline.
- Financial Sovereignty Strict adherence to a "European Exclusivity" protocol. We accept institutional support exclusively from the European Union. No state, partisan, or third-country funding is accepted. All other logistical needs are directly crowdfunded by citizens.
- Institutional Alignment Strategic advisory mechanisms strictly mirror the high governance standards expected by the DG NEAR Guidelines (2021-2027).
- Constructive Action Highly disciplined, non-violent visual and structural actions designed to translate complex constitutional infractions into undeniable public realities.
PRESS CONTACT & INTERVIEWS
For interview requests, on-the-record comments, or to be added to our press release distribution list, contact our Media Desk.
KOHA E BETIMIT: AKTIVIZO KODIN TËND
"Unë angazhohem në Përpjekjen për BE jo si një mjet për të siguruar pushtet apo status personal, por si një detyrë kategorike ndaj Republikës sime. Unë veproj sot në atë mënyrë, që veprimi im të mund të kthehet në një standard për çdo qytetar."
1991 - 2026:
E DUAM SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA
Në vitin 1991, një gjeneratë e tërë rrëzoi diktaturën me një ëndërr. Sot, 35 vite mëë vonë, establishmenti politik po tenton ta vrasë atë ëndërr për të mbrojtur pushtetin e tyre nga drejtësia. Tranzicioni shqiptar nuk është thjesht një fjalë politike; është një varrezë ëndrrash të pashprehura. Është tragjike se sa shumë njerëz jetuan dhe vdiqën pa e parë Shqipërinë të bashkuar politikisht me Europën, pa njohur lirinë e vërtetë dhe shtetin e së drejtës. Ne jemi këtu për ta çuar atë premtim deri në fund.
ALBANI (1974 - 2025)
Në marsin e acartë të vitit 1991, Albani ishte vetëm 17 vjeç. I hipur mbi hekurat e ndryshkur të një anijeje eksodi, me sytë nga bregu që largohej, ai i premtoi vetes: "Do të kthehem sapo Shqipëria të bëhet si gjithë Europa."
Për 34 vite radhazi, rinia e tij u shkri mes avujve dhe djersës së një kuzhine restoranti në Itali. Çdo fushatë zgjedhore, ai priste biletën e kthimit. Çdo vit, establishmenti i Tiranës e gënjente. Albani mbylli sytë vitin e kaluar, me duar të vrara nga puna dhe me një zemër të thyer nga një atdhe që e mbajti në ekzil të përjetshëm. Ai iku nga një burg i izoluar dhe vdiq në një sallë pritjeje që nuk u hap kurrë.
Sot, vajza e tij ka lënë Italinë dhe ka zbritur në sheshet tona. Ajo firmosi Betimin e Detyrës jo për politikë, por për të shlyer borxhin e gjakut dhe djersës së babait të saj. Për të mbyllur njëherë e mirë këtë tranzicion të mallkuar.
GILMANI (1967 - 2016)
Profesor, publicist dhe një nga mendjet më brilante të Shqipërisë moderne. Ai mbante mbi supe heshtjen dhe plagët e babait të tij, i cili kaloi 12 vite në qelitë e diktaturës vetëm sepse besoi te lëvizja "Përpjekja Shqiptare".
Por Gilmani nuk zgjodhi urrejtjen; ai zgjodhi dritën e intelektit. Përtej katedrave dhe auditorëve, ai konsumoi jetën e tij duke u përpjekur të mbillte mendimin kritik europian në një shoqëri që po mbytej nga injoranca e tranzicionit. Ai shkroi "Alfabetin e Tranzicionit" dhe paralajmëroi me zë të lartë se elitat po e varnin shtetin. Gilmani ndërroi jetë parakohe në vitin 2016.
Sytë e tij u mbyllën pa e parë kurrë drejtësinë të triumfonte mbi të korruptuarit. Ai la pas një amanet në auditore; politika e vjetër nuk do ta fitojë dot betejën me studentët e tij. Ata janë këtu me ne në Përpjekje.
MJAFT MË.
NUK JAPIM MË JETË PËR TË MBROJTUR KORRUPSIONIN E TYRE.
ARDIT GJOKLAJ (1999 - 2016)
Arditi ishte vetëm 17 vjeç. Gjatë verës, ai nuk shkoi në plazh, por vendosi të punonte mes mbeturinave në landfillin e Sharrës, thjesht për të blerë librat e shkollës për shtatorin. Aty, në atë pirg plehrash që menaxhohej nga një koncesion me hije të thella politike, ai u shtyp nga një skavator.
Sistemi nuk i dha as ndihmën e parë; trupi i tij i pajetë u fsheh mes mbeturinave për të mos prishur imazhin e biznesit korruptiv. Dhe më e keqja erdhi më pas: drejtësia shqiptare i mbylli sytë, e mbylli dosjen dhe e liroi sistemin nga faji. Politika e varrosi Arditin për herë të dytë.
Ne reagojmë sot sepse nuk pranojmë që drejtësia të jetë e verbër kur vriten të varfrit dhe e hapur kur duhet të mbrojë politikanët. SPAK është shpresa e vetme që monstrat që pasurohen mbi gjakun e fëmijëve të mos flenë më të qetë.
MIMOZA PAJA (BANAKIERJA NË DON BOSKO)
Mimoza ishte një nënë që po bënte atë që bëjnë qindra mijëra shqiptarë të tjerë: po punonte një turn të ndershëm si banakiere për të mbajtur me bukë familjen. Lokali ku ajo pastronte filxhanët dhe shërbente kafen, ishte në pronësi të një figure të krimit të organizuar, thellësisht i lidhur me fijet e padukshme të pushtetit dhe politikës.
Një ditë, breshëria e kallashnikovit të një bande rivale shpërtheu xhamat e lokalit. Objektivi i mafies shpëtoi, por Mimoza mbeti e vrarë në vendin e saj të punës. Një fëmijë u plagos pranë saj. Shteti i lejon bosët e drogës të pastrojnë paratë e tyre, ndërsa faturën e gjakut e paguajnë qytetarët e pafajshëm.
Ne i mbushim sheshet sot sepse nuk mund të ketë integrim në Europë me një shtet që i dorëzohet karteleve. Mbrojtja e institucioneve të reja të drejtësisë është e vetmja mënyrë për t'i marrë rrugët tona mbrapsht nga mafia.
QYTETARËT E SHKODRËS
Ata ishin qytetarë absolutisht të pafajshëm. Po ktheheshin nga puna e tyre kur u gjendën në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Makina e tyre u kryqëzua nga një breshëri plumbash në rrugët e Shkodrës. Një përplasje makabre mes bandave që në thelb mbajnë peng qytetin, kontrollojnë fushatat zgjedhore dhe diktojnë fatet politike të të dyja kampeve kryesore, PS dhe PD.
Kur establishmenti politik e përdor krimin për të blerë pushtet, krimi e merr shtetin peng. Dhe kur shteti bashkëjeton me krimin, jeta e qytetarëve kthehet thjesht në një dëm kolateral të pashmangshëm.
SPAK dhe Bashkimi Europian janë i vetmi mekanizëm që i ka futur të dridhurat kësaj simbioze mes politikës dhe vdekjes. Nëse ne dorëzohemi sot, nesër kushdo prej nesh mund të jetë kolaterali i radhës në kryqëzimin e rrugës.
ARTAN CUKU (1975 - 2017)
Artani nuk ishte një kalimtar i rastit. Ai ishte vetë fytyra e shtetit. Si drejtues i lartë i Policisë, ai vendosi pas hekurave disa nga kriminelët më të rrezikshëm të vendit—ata individë që establishmenti shpesh i ftonte në tryezat e fushatave zgjedhore.
Në vitin 2017, mafia e ekzekutoi në pragun e shtëpisë së tij. Kur një oficer i ndershëm bie dhe politika hesht, kjo nuk është thjesht një vrasje; është kapitulimi i vetë Republikës. Artanin e lanë të vetëm sepse ai refuzoi të bënte kompromis me krimin që mbante në këmbë pushtetin.
Ne ngremë zërin sot për të mbështetur çdo polic, prokuror dhe gjyqtar të ndershëm që rrezikon jetën përballë këtij sistemi. Nëse SPAK dështon dhe BE na mbyll derën, atëherë njerëzit e ligjit do të mbeten mish për top për mafian.
DOKTRINA: RREZIKU I VITIT 2030
Fletëpalosja e Përpjekjes. Pse dështojnë kombet dhe si po na vjedhin të ardhmen.
A e dije se kur një shoqëri refuzon të veprojë, elitat e korruptuara nuk rrinë duarkryq? Ata marrin kontrollin në heshtje. Dhe historia botërore ka një rregull të pamëshirshëm: Nëse një elitë e korruptuar konsolidohet mjaftueshëm, beteja e shoqërisë për t'i rrëzuar ata bëhet e pamundur.
Ky nuk është një libër historie. Është një manual urgjence që dekonstrukton inxhinierinë se si është ngritur ky narko-shtet, dhe pse dështimi për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 nuk do të jetë thjesht një zhgënjim, por një dënim kapital për brezin tonë.
Dëgjo Audio-Fletëpalosjen
PËRPJEKJA PËR BE
RREZIKU I VITIT
2030
MANUALI I MBIJETESËS PËR RRESHTAT E PARË
> ZJARRI PËRHAPET: THIRRJE PËR VËLLEZËRIT DHE MOTRAT TONA NË BALLKAN
Ne nuk jemi vetëm. Nga Tirana në Beograd, nga Prishtina në Podgoricë e Shkup — të njëjtat elita të vjetra po vjedhin të ardhmen tonë. Ata mbijetojnë duke na thënë se fqinji është armiku, ndërsa vjedhin bashkë pas dyerve të mbyllura. Armiku i vërtetë nuk është njeriu përtej kufirit. Armiku i vërtetë është korrupsioni që na mban të gjithëve jashtë Europës.
Kjo është arsyeja pse ne po hapim dyert tona. Ne ju ftojmë ju — aktivistë të rinj, studentë, mësues dhe ëndërrimtarë nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja — të vini dhe të qëndroni me ne. Ejani dhe na ndihmoni. Ejani dhe luftoni përkrah nesh. Sillni idetë tuaja, energjinë tuaj, kurajën tuaj.
Ne nuk duam që ju të na kopjoni apo të ndërtoni diçka të veçantë. Ne ju duam këtu, me ne, në mënyrë që së bashku të bëhemi më të fortë. Kur të rinjtë serbë, maqedonas, kosovarë dhe malazezë qëndrojnë krah për krah me rininë shqiptare rreth të njëjtit zjarr, duke luftuar për të njëjtën ëndërr europiane, ndodh diçka e fuqishme: ne nuk e shohim më njëri-tjetrin si armiq dhe fillojmë të shohim korrupsionin si armikun e përbashkët.
Kjo luftë e përbashkët na jep të gjithëve më shumë kurajo. E bën lëvizjen më të madhe, më të bukur dhe më të vështirë për t'u ndalur. Nëse ndjeni të njëjtin zjarr në zemrën tuaj, na shkruani. Ejani në Rrethet dhe Zjarret tona. Sillni zërin tuaj. Na ndihmoni. Qëndroni me ne. Rruga drejt 2030-ës është më e fortë kur e ecim së bashku.